Pages

Shtien me armë para Qeverisë






Disa persona shtien me armë përpara ndërtesës së Qeverisë, duke festuar lirimin e Ramush Haradinajt, më 29 nëntor. Qytetarët vazhdojnë të festojnë me armë duke shkaktuar rrezik dhe raste të shumta plagosjesh. Organizatat e shoqërisë civile thonë se është e pakuptimtë që njerëzit të gjobiten më shumë për vozitje pa leje sesa për shtënie dhe armëmbajtje.
Në fotografitë e realizuara nga “Gazeta Jeta në Kosovë” shihen dy qytetarë duke shtënë me armë, mu para Qeverisë së Kosovës, më 29 nëntor.
Në sheshin Nëna Terezë, atë ditë shumë veta kishin dalë për të festuar lirimin si të pafajshëm të liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, nga Tribunali Penal Ndërkombëtar në Hagë për akuzat për krime lufte.
Ndonëse këto të shtëna janë parë e dëgjuar nga qindra njerëz, Policia e Kosovës nuk ka hapur ndonjë rast përkatës. Në raportin e policisë, të datës 30 nëntor, nuk është shënuar se policia ka iniciuar hetim për këto të shtëna.
Edhe pse në vazhdimësi Policia e Kosovës dhe OJQ-të u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mos shtien me armë zjarri gjatë festimeve, këto thirrje po rezultojnë të jenë jo-efektive.
Vetëm gjatë festës së 28 nëntorit Policia e Kosovës ka arrestuar 4 persona, të cilët janë zënë në flagrancë duke shtënë në ajër me armë.