Shkup, 15 tetor - Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoni ka ndërmarrë të gjitha masat për të siguruar rendin dhe qetësinë lidhur me ndeshjen e nesërme të futbollit Maqedoni - Serbi.
Masat e përforcuara të sigurisë vijnë pas paralajmërimeve dhe kërcënimeve të huliganëve serb se do të përballen dhe do të qërojnë hesapet me shqiptarët në Shkup.
MPB sot ka mbajtur një takim me Federatën e Futbollit lidhur me situatën për ndeshjen e nesërme. Përballja me kombëtaren e Serbisë është vlerësuar e rrezikut të lartë dhe se janë ndërmarrë të gjitha masat për evitimin e incidenteve të mundshme, raporton ina.
MPB pritet që prej sonte të bëj përforcimet e duhura në të gjitha akset rrugore dhe në pikat nevralgjike ku priten tensione dhe vandalizëm të huliganëve serb. Qytetarët janë paralajmëruar që të kenë kujdes gjatë ditës së nesërme në drejtim të stadiumit "Filipi i II".
Huliganët serb në thirrjet e tyre të paralajmëruara kanë thënë se “do të udhëtojnë në Shkup për të rrahur shqiptarët”. Ata kanë thënë se do të jenë më shumë se 300 veta, por do të kenë përkrahjen edhe të tifozëve maqedonas të Crvena Zvezdës dhe Partizanit.
