Pages

Jetë o jetë, skandalet në RTK !

















Radio Televizioni i Kosovës ua vazhdon kontratat produksioneve të jashtme duke mos e respektuar ligjin. Këto produksione i marrin RTK-së miliona euro, madje edhe për produkte që transmetohen disa minuta më herët në televizione tjera. RTK në disa raste nuk e ka shmangur konfliktin e interesit duke i përzgjedhur produksionet, ose angazhuar individë që kanë lidhje miqësie ose familjare me menaxhmentin, Bordin dhe politikanët,shkruan Preportr.
Radio Televizioni i Kosovës i shpenzon paratë e Buxhetit të Kosovës për të paguar produksione të jashtme që i kushtojnë miliona euro, e që madje në disa raste nuk e ka ekskluzivitetin për to. Ky televizion që financohet nga Buxheti i Kosovës, dhe një shumë jo fort të madhe nga marketingu, ka nënshkruar kontrata në vlerë prej qindra-mijëra eurove me produksionet e jashtme,për emisione të cilat jo shpesh i kanë plotësuar pritjet e teleshikuesve.
Shpesh këto produksione u janë dhënë miqve të menaxherëve dhe ish-menaxherëve ose familjarëve të politikanëve, dhe jo rrallë janë shoqëruar me konflikte interesi.
Përveç që këto produksione nuk kanë sjellë diçka serioze, ato edhe më tutje vazhdojnë t’i marrin mjete RTK-së, edhe pse kjo e fundit po përballet me krizë të thellë financiare.
Sipas Sindikatës së RTK-së dhe ekspertëve të medieve, kontratat që RTK i ka lidhur janë të jashtëligjshme dhe jotransparente. RTK kurrë nuk ka treguar se mbi çfarë baze i ka lidhur këto kontrata dhe mbi çfarë baze i ka vazhduar ato që prej disa vitesh. Ekspertët kujtojnë se në këtë mënyrë RTK po ua pamundëson produksioneve të tjera t’ua ofrojnë produktet e tyre transmetuesit publik, ashtu siç kjo çështje është e rregulluar me ligj.